Konferenca e Paqes 1919, Kur Papa Benedikti XV mbrojti Korçën e Gjirokastrën nga greket

Konferenca e Paqes 1919, Kur Papa Benedikti XV mbrojti Korçën e Gjirokastrën nga grekët

Gazeta Shqiptare

http://groups.yahoo.com/group/tschameria/message/7122

ÁT VITOR DEMAJ

Po i paraqesim lexuesit një dokument historik që paraqet fakte që sot shumë pak
dihen ose anashkalohen, rreth asaj se çfarë ndodhi në Konferencën e Parisit në
vitit 1919 në lidhje me kufijtë e Shqipërisë. Kjo është një leter e Emzot Luigj
Bumçit aso kohe ipeshkëv i Lezhës që ja dërgon redaksisë së revistës "Hylli i
Dritës" në vitin 1934 për botim. Kjo letër hedh dritë mbi ndërhyrjen që bëri
Papa Benedikti XV pranë ambasadorve të Anglisë e të Amerikës, duke i shpëtuar
nga aneksimi që deshi t'u bëj Greqia dy krahinave shqiptare: Korçës dhe
Gjirokastrës.
Në konferencën e Parisit kishin shkuar shume delegacione shqiptare si
përfaqësues të Shqipërisë. Këto delegacione nuk arritën të bashkohen për të
pasur një delegacion të vetëm, pse ishin të gjithë të përçarë sepse i përkisnin
rrymave të ndryshme politike që në atë kohë kishin dëshirë dhe ambicje të
merrnin drejtimin e vendit. Atëherë u vendos që si përfaqësues i të gjithë
shqiptarve të ishte Emzot. Luigj Bumçi me delegacionin e tij që përfshinte të
gjithë shqiparët e të gjitha krahinave. Si sekretar u vendos Át Gjergj Fishta që
me këtë rast pat pergatitë edhe fjalimin e famshëm "Të drejtat e Shqipnisë dhe
kufijtë e saj".
Kjo dëshmi e Ipeshkvit Luigj Bumçit që u botua në të perkohshmen françeskane nuk
u kundërshtua nga ata pjestar që kishin marrë pjesë në delegacionin për në
Konferencën e Parisit, ku disa prej tyre ishin ende gjallë kur u bë publike kjo
dëshmi historike. Kjo gjë e përforcon edhe më, dhe e verteton si një fakt
historik të ndodhur ashtu siç na e difton Emz. Luigj Bumçi, protagonisti kryesor
i atyre ngjarjeve jetike për vendin tonë.
Sigurisht mund të themi se ndërhyrja e Benediktit XV për të mbrojtur Korçën dhe
Gjirokastrën nga rreziku grek nuk u bë për arsye fetare, pse sikurse dihet këto
dy krahina ishin me shumicë myslimane, por nga drejta natyrore që çdo kombë ka
për kufijtë e vet.
Selia e Shenjtë dhe "çeshtja shqiptare"
Përpara se të kalojmë të ekspozimi i letrës – dokument, duam t'i hedhim një
veshtrim sintetik historisë së Shqipërisë në marrëdhënie me Selinë e Shenjtë, ku
vërejmë se kjo nuk është hera e parë e as e vetme që një Papë ndërhyn në
mbrojtje të çeshtjes shqiptare. Kjo mbështjetje e Selisë së Shenjtë vinte edhe
nga fakti se Shqipëria ishte një vend me fe katolike dhe që kishte pësuar një
kalvar të dhimbëshem për këtë identitet, jo vetëm për këtë, por kjo ndihmesë
morale, politike e kulurore donte të tregonte se çdo popull dhe kombë ka të
drejtë të vetëqeveriset dhe të jetoj i lirë në trojet e veta, të këtë gjuhën,
zakonet dhe historinë e tij.
Papët në mbrotje
të pamvarësisë
territoriale
Po lëmë jashtë vështrimit kohën e lavdishme të fatosit kombëtar Gjergj
Kastriotit ku pati mbështjetjen e disa Papëve përkatësisht katër Papëve. Mbas
pushtimit turk Shqipëria u fut në një labirint vuajtje, persekutimi fetar dhe
mjerimi më shumë se sa popujt e tjerë të Ballkanit. Por as në këto kohë të zymta
nuk u harrua nga Selia e Shenjtë, dhe gjatë kësaj periudhe ne konstatojmë se
mbështjetja e Papëve nuk i mungoi dheut të arbënit, pra është e lidhur ngushtë
me pavarësinë tonë kombëtare.
Po e rreshtojmë këtu sa më shkurtë disa fakte konkrete në lidhje me këtë
çeshtje.
Papa Pio V në vitin 1571 mendon të emëroi një kardinal për Shqipërinë, dhe i jep
si mbrojtës kardinalin Santoro që të merret me çeshtjen shqiptare. Pas këtij
emërimi kemi emërimet e disa kardinalëve tjerë që të merren më problemin e
Shqipërisë pra për lirimin e saj nga pushtuesi anadollak. Gregari XIII viti 1584
mendon për lirimin e Shqipërisë nga zgjedha azijatike, ndersa Papa Klementi VIII
në vitin 1593 merr parasysh lutjen që i bëjnë krenët e Shqipërisë për liri dhe
në vitin 1595 jep një shumë të hollash për realizimin e këtij qellimi. Po ashtu
në vitin 1597 anijet e Papës me ato të Venedikut mundohet të lirojnë Vlorën nga
kthetrat osmane. Ndërsa Papa Pali V në vitin 1603 ia rekomandon mbretit të
Spanjës Filipit III çeshtjen e lirisë tonë si dhe i porositë dy të dërguar nga
Shqipëria që kishin shkuar për këtë çeshtje. Urbani VIII në vitin 1624 grish
Patriarkun e Ohrit që të bashkohet me të në luftë kundra Turkut. Gjithashtu në
vitin 1684 Papa sëbashku me anijet e Venedikut mundohen me i ardhë në ndihmë
Shqipërisë e lirojnë Prevezen. Papa me gjak shqiptar në vitin 1711 ndërmjetson
pranë Republikës Veneciane për me i ardhë në ndihmë malsorve të Kelmendit që po
luftojshin për liri. (Shih revisten Leka 1937, 457 – 460). Edhe mbas këtyre
viteve deri në 1912 nëse konsultojmë analtet e Urdhërit Françeskan si dhe ato të
Selisë së Shenjtë, kronikat e ndryshme, ditarët e disa misonarve, hasim në shumë
raste të tjera ku Papët intersohen për çeshtjen shqiptare, për gjendjen e saj
shoqërore, kulturore e territoriale.
Ndihmesa e Papëve në përhapjen e kulturës shqiptare
Në këtë paragraf të shkurtër duam të sjellim në kujtesën tonë ndihmesën e vyer
që dha Selia e Shenjtë për perhapjen e Kolegjeve, shkollave shqipe si dhe
botimin e librave po në këtë gjuhë përgjatë shekujve jashtë kufijve të tokës
arbnore. Për punën e madhe që bënë kleriket e Kishës Katolike e në veçanti
misonarët françeskan për perhapjen e kultures dhe të shkollave shqipe në
Shqipëri gjatë pushtimit osman, meriton një studim të gjatë e një trajtim në
vete. Një herë tjetër do të merremi me këtë.
Në vitin 1577 kemi Kolegjën e ritit grek themeluar në Romë edhe për shqiptarët
arbëreshë prej papës Gega XIII. Po në vitin 1584 – 85 ky Papë mendon edhe per
një Seminar shqiptar në Bari e Leçe ku gjendeshin shumë shqiptar të shpërngulur
nga dheu i tyre. Mbas kemi themelimin e Kolegjës Ilirike të Loretit, e
rithemeluar nga Urbani VIII në vitin 1627 edhe për shqiptar. Po ashtu i njëjti
Papë me datë 17 dhjetor të vitin 1631 me një breve të posaçme mkambi rishtas
Kolegjën Baziliane në Romë. (Shih: Hylli Dritës, 1921, n. 4, fq. 163) po ashtu
kemi edhe themelimin e Kolegjës Ilirike e Fermos nga Aleksandri VII në vitin
1631.
Ndërsa në Himarë çilen dy shkolla njera nga Klementi IX 1670 e tjetra prej
Klementit X. Papa Klementi XI me origjinë shqiptare jep një shumë të hollash për
shqiptarët në Kolegjën e Propagandës. Në Romë në kuvendin Françeskan San Pietro
in Montorio me 20 prill 1711 u vendos me urdhër të Papes Klementit XI të jepej
si gjuhë mësimi edhe gjuha shqipe per misionarët qe do te vinin në Shqipëri. Si
fryt i kësaj iniciative u shkrua Gramatika e parë shqip në vitin 1716 nga P.
Françesko Maria Da Leçe. (Shih: Hylli i Dritës, vitit 1931, n. 4, fq. 217 – 218;
Hylli i Dritës, 1933, n. 5-6, fq. 239). Në Palermo ku janë të vendosur shumë
arbërsh u themelua Kolegja në vitin 1730. Kemi edhe Kolegjën e Ulanos të hapur
në vitin 1732 prej Klementit XII, italo-shqiptar nga nëna. Në vitin 1740
Klementi XII duke çuar në vend dëshirën e Klementit XI themeloj kolegjën
italo-shqiptare di San Adriano në S. Demetrio Corone. (Hylli i Dritës, 1921, n.
4, fq. 163). Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Kolegjën e Grottaferratës në
Romë, ku në bibliotekën e saj ruhen edhe dorëshkrime në gjuhën shqipe, etj.
Jo vetëm në hapjen e shkollave, seminareve për shqiptarët, por Selia e Shenjtë
dha një ndihmesë të çmuar edhe në botimin e librave shqip në atë kohë kur
Shqipëria lëngonte e robëruar nën Turqi. Propaganda Fide (Propaganda e Fesë) e
themeluar në Romë në vitin 1622 dha një ndihmesë të madhe dhe deçizive për
botimin e librave në gjuhën shqipe, kjo ndihmesë vashdoi për gati pesë shekuj.
Për botimin e librave në gjuhën shqipe mund të themi shkurtazi se kemi më shumë
se 31 libra të botuar me anë të shtypshkronjës së Propagandës në Romë, duke
filluar që nga viti 1618 me Budin, Mons. Fr. Bardhin, me Fra Françesko Maria Da
Leçe, etj. Të gjithë këto libra kanë një rëndësi të madhe për ruajtjen e
identitetit gjuhësor e kombëtar të Arbnorve. (Shih revisten Leka 1937, 460 –
461).
Në shikim të parë mund të duken shumë pak 31 libra të botuar në atë periudhë për
kohën që jetojmë sot, por për atë kohë për çdo botim në gjuhën shqipe ose edhe
nëse të gjenin libra në gjuhën shqipe rrezikoje jetën dhe përsekutime nga më të
ndryshme.
Kjo që thamë më lartë është thjeshtë një penelatë nga ajo që mund të shkruhet
mbi ndihmesën dhe kontributin që Papët dhe Selia e Shenjtë i dhanë popullit
shqiptar nëpër rrjedhat e historisë së tij.

Nji fletë e ré në historín kombtare

Ndolljen me tana rrethanat, si tregon shkresa, të cilen, fjalë për fjalë ktû po
e botojm, patem rasë me ndie mâ se nji herë prej sa misvet të dergatës shqyptare
në Paris. Kshtu flitte i ndyeri Luigj Gurakuqi, kshtu na e verteton Drejtori i
jonë Á. Gjergj Fishta, at herë sekretár i Dergatës, e kshtu, pat mirsín, si mbas
kerkesës s'onë, me na e vertetue edhe me shkrim i Përndritshmi Emz. Luigj Bumçi,
at herë kryetár i dërgatës shqyptare në Konferencën e Parisit. Per randsí qi ká
ky dokument në historín e ndertimit t'onë porsì shtet e per skjarim të sa
paragjykimevet të tashme e t'ardhshme mbi kontributin e klerit katolik per
çashtjen kombtare, teksualish i a njohtojm publikut shkresat e çmueshme qi kemi
në dorë. Ky dokument ka randsí nji herë mâ të madhe, kurse Korçë e Gjinokaster
nuk janë vise të banueme prej katolikve. Sh. R.

Fort i Nderti Át
Ma falni, Ju lutem, pse vonova me i pergjegjë letres s'Uej, me të cillen më
lypshi si pat rrjedhë puna se pështoj Korça e Gjinokastra nga akordi
Tittoni-Venizelos – akord i cilli ja lëshonte Greqís te dyja provinçet shqyptare
të siperpermendme.
Qe si ndolli puna:
Qyshë në Qershuer të vjetës 1919 kjeçë zgiedhë Kryetár i Dergatës s'Onë në
Paris.
Me 9 Tetuer t'asajë vjete fletorja "il Giornale d'Italia" lajmon çiltas se "mas
akordit Tittoni – Venizelos dy Provinçiet Shqyptare, Korça e Gjinokastra do t'i
epen Greqís". Dergata e jonë at herë me të shpejtë i paraqiti Konferencës së
Pagjës nji protestë kundra ktí akordi.
Me 9 Nanduer 1919 po ajo Gazetë boton prep ato fjalë, d.m.th. mas akordit
Tittoni-Venizelos Korça e Gjinokastra do t'i dorxohen Greqís.
At kohë Dergata e jonë më ngarkoj me u pa me Z. Tittoni-n qi ndollej në Paris
mas hikjes së Z. Orlando-s e Sonnimo-s, qi ishte Kryetár i Dergatës italiane.
Edhè une u takova me tê, por gjâ konkrete prej bisedimit nuk mujta me xjerrë.
Në mbledhje qi Dergata mbajti n'e nesre, ja diftova gjith misvet bisedimin me Z.
Tittoni-n.
Prep me 9 Dhetuer 1919 fletorja "il Giornale d'Italia" e persritë po ato fjalë
mbi Korçen e Gjinokastren. N'at kohë Z. Tittoni nuk gjindej në Parisë, e vendin
e tí e kishte xânë Z. Scialoja.
Shkova edhè te ky, por pa kurrfarë rezultati.
Ishte, per sá mbajë mênd, 21-22 Dhetuer 1919 kurse në mbledhje qi patme, të
gjith misat e Dergatës, e nder ta ma i nxeti e ma i pari, e ndieri Z. Myfid
Libohova, m'u lutne t'a bâjshe nji sakrific per atdhen t'onë e t'u nisëshe për
Rome, ku të bâjshe çë mos per me pase audjencë prej Shêjtnís së tij Papës
Benedikt XV. Atí të Ja parashtrojshe gjendjen e rrezikshme të dy provinçeve
t'ona, Atí t'i lypshe ndimë qi Shêjtnija e Tí t'i pështonte.
Ju pergjegja shokve n'at mbledhje se lutja n'at punë nuk kishte vênd, se çashtja
e Shqypënís ishte çashtja e të gjithve bashkë e e secillit nder né: prá kjè se
Dergata e shef të nevojshme qi une si Kryetari i sajë t'a bâj udhtimin per Romë,
ket udhtim e kam me detyrë. Kështu u vêndue qi unë bashkë me Z. Mehdi Frasherin
t'u nisëshim per Romë.
Me 26 të Dhetorit u nisme e me 28 mërrime në kryeqytetin e Italís.
S'kaluen trí kater dit xora audjencën e u gjeta perpara Shêjtnís së Tij Papës
Benedikti i XV.
Bisedimi nuk kjè i gjatë, kjè i shkurtë mjeft, por edhè pse i shkurtë kje i
mjeftueshem per qellimin t'onë.
Si ja diftova pse kishe marrë udhtimin per Romë, e pse u gjindëshe perpara
Shêjtnís së Tij, kuvêndin e mbylla me kto fjalë: "tesh pra, Shêjtní, të gjith
misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica âsht mysliman, më kan
çue ktu perpara Shêjtnís s'Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqn t'Uej
morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndihmen t'Uej
të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqyptare
Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos".
Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u
suell e me tha: Po shka të bâj per Ju? Me Italí s'kam shka me bâ, e din gjith
bota si jena: me Francë marrëdhanjet janë këput – shka të bâj?
Mora guxim e i pergjegja: A m'epni lejen me folë, Shêjtní? Fol, fol me tha, shka
të kesh me thanë thueje. Un kishe me thanë, Shêjtní, se bota s'ká metë vetun në
Italí e në Francë; - ká në botë edhe Anglí Shtete te Bashkueme t'Amerikës. Bani
buzën në gaz, e me i'herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra neser do të piqemi
me Ambasadorin e Anglís, masnesri me atê të Shteteve të Bashkueme; e po t'ap
fjalen se me te dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik
e kam me bâ shka të mundem per me Ju ndihmue. Zoti ká m'e bâ mirë se prei
Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e
atý kû s'asht Zoti drejtsija s'mundet me kênë.
Une at herë qi kishe bâ gati nji memorandum per me ja lânë, tuj e nxjerrë prei
xhepit e tuj e mbajtë në dorë: Shêjtnija e Juej i thaçë, ká punët e botës marë,
e prandej a kam lêjen me Ju lanë ket memorandum qi mos t'a harroni çashtjen
t'onë? Po, po, lêne ktu pse nuk kam m'e harrue. U çova e i rashë ne të dy giûjt.
Ju fala nderës sá mujta, e si mora bekimin, at herë dola krejt i kënaqun e
shkova tuj mêndue me vedi: A thue po na shkon kot ky udhtim qi prej Paris-it
bâme deri ktu? Gjith kjo shpresë qi fjalët e Shêjtnís së Tij më njallne në
zemër, a mundet me më rrêjtë? Jo, jo s'mundet me kênë kurr. Sa dola prej
Vatikanit u poqa me Z. Mehdi Frasherin të cillit ja diftova fjalët qi më tha
Benedikti XV, edhè ky Zotní met faret i kënaqun tuj shpresue se me nderhymje të
Papës Korça e Gjinokastra kishin pështue.
Me gjith kto shpresa të mira në zemër, kthyeme në Paris ku me padurim po na
pritëshin shokët.
Kur u mblodhme ne zyren e Dergatës, i parashtrova shkurtazi nji ekspozé të
misjonit t'onë në Romë, e kur në fund u diftova bisedimin e Shêjtnís së Tij, e
si na dha fjalen se do t'u mundote per çashtjen t'onë, per të cillen kishte
çfaqë qyshë në fillim nji interesim të madh, fjalët e mbrame të Shêjtit Át Papë
i priten në kambë me brohorí të madhe e me duertrokitje britne të gjith nji
zâni: Rroftë Papa! Korça e Gjirokastra kan pështue: e pështuene pernjimend.
Kjo âsht rrjedhja e vertetë. Kjo âsht nji faqe e historís s'onë.
Kallmet 30 Mars 1934

† LUIGJ BUMÇI
IPESHKVI I LEZHËS

(Marrë nga revista françeskane: Hylli i Dritës, 1934 vj.X – Mâj - nr. 5, fq.
219-222).